Mes 20 fëmijëve nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi, vogëlushja gjirokastrite Nikol Çabeli shkëlqeu në skenën e teatrit “Migjeni”, Shkodër, ku u mbajt edicioni i 61-të i Festivalit Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë. Me zërin e saj ajo bëri për vete jo vetëm jurinë profesioniste por edhe artistët e vegjël të cilët votën e tyre e dhanë për këngën “Coco Im”. Edhe pse ditë të lodhshme, të mbushura me aktivitet, Nikola tregon se e gjithë kjo punë u vlerësua ashtu siç ajo nuk e kishte parashikuar.
“Nuk e prisja të fitoja. Ishte një surprizë e bukur për mua dhe një shtysë që të vazhdoj përpara në rrugën e këngës që unë e kam filluar herët. Kënga më pëlqeu shumë se fliste për një qen dhe unë i dua shumë ata si dhe macet. Kënga mbetet dashuria ime dhe unë gjithmonë planet do t’i kem të lidhura gjithmonë me këngën. Mendoj që vitin tjetër të marr pjesë te “Eurovision Junior”, – thotë Nikol.
Formimin e saj artistik 11 vjeçarja e ka nisur që në moshën 3 vjeçare duke marrë pjesë në evente dhe kompeticione televizive, ku ndër ta spikat Gjeniu i Vogël, ku arriti të renditej në gjashtëshen e parë. Nikol nuk shquhet vetëm për zërin e saj të bukur dhe potent, por shkëlqen edhe në instrumenta dhe kërcim. Gjithsesi, duket se karriera e saj do të ketë vazhdimësi në këngë.