• Raportime

Ndërkombëtarizimi i universitetit, “Eqrem Çabej” pret pedagogë nga Spanja

Gjirokastra 03 Gusht 2023

Rreth 15 pedagogë nga institucione arsimore të Spanjës ka pritur për një javë universiteti i Gjirokastrës. Së bashku me pedagogët tanë kanë bashkëbiseduar për zgjerimin e networkut, planifikimin e projekteve te reja dhe njohjen me kulturën vendase. Aktiviteti u mbështet në marrëveshjet ndërinstitucionale mes universiteteve dhe synon shkëmbimin e eksperiencave dhe mundesinë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme që lidhen me mësimdhënien, mësimnxënien dhe kërkimin shkencor përmes projekteve të lëvizshmërisë dhe të rritjes së kapaciteteve të bashkëfinancuar nga BE dhe Erasmus +.

“Unë vij nga Spanja, nga një rajon verior i quajtur Galishia. Jam këtu sepse ne bashkëpunojmë me universitetin e Gjirokastrës prej disa vitesh. Ne marrim në shkollën tonë Ies Ribeiro do Luoro studentë nga ky universitet, kryesisht nga fakulteti ekonomik. Jam këtu për të prezantuar organizatën time dhe për të diskutuar për projekte të reja për vitin e ardhshëm akademik.” – thotë Aroa Alonso.

Gjatë vitit të fundit 14 anëtarë të stafit akademik dhe administrativ të UGJ kanë vizituar institucionet partnere spanjolle. Ndërkohë, 10 studentë të Fakultetit Ekonomik dhe  Fakultetit të Shkencave Natyrore, kanë studiuar për një semester në këto institucione në Spanjë. Në vitin e ri akademik një grup studentësh spanjollë pritet të kryejnë periudhën e mobilitetit në UGJ.