• Gjirokastër

Muzeu arkeologjik Sarandë,është pesëfishuar numri i vizitorëve krahasuar me një vit më parë

Gjirokastra 07 Shtator 2023

Një ndër tre muzetë që ndodhen në qytetin e Sarandës është ai arkeologjik.
Në këtë muze vizitorët njihen me fillimet e qytetërimit në Onhezmi, të cilat nisin në shek. III para Krishtit, kur Onhezmi shërbente njëherësh edhe si një port i Foinikës, kryeqendrës së Kaonisë, mbretërisë së Pirros së Epirit.
Gjatë shekullit IV qyteti u rrethua me mure fortifikuese me lartësi deri në 8,5 m. Nga qytetërimi antik mbetën të paktën 7 mozaikë dhe një varg kullash, bazilikash paleoleokristiane dhe një sinagogë hebraike. Sipas Hieroklitit në shekullit VI, midis Foinikës dhe Butrintit ndodhet Onhezmi, një nga 12 qytetet e Epirit. Në vitin 551, rreth 50 anije dhe forca barbare ostrogote e shkatërruan Onhezmin dhe Butrintin.
Përgjegjësi i këtij muzeu Klodian Gjoni në fjalën e tij për televizionin tonë është shprehur se krahasuar me një vit më parë është pesëfishuar numri i turistëve duke u rritur ndërkohë dhe interesi nga ana e tyre.Sipas Gjonit pjesa që tërhiqet më shumë nga turistët është mozaiku origjinal i dyshemesë së Muzeut.
Zbulimi i një shtrese karboni pranë mozaikut origjinal të dyshemesë së Muzeut Arkeologjik të Onhezmit flet për hirin e mbetur nga djegiet e qytetit të lashtë.