Pas ndeshjes së kombëtares së Shqipërisë ndaj Polonisë më 27 mars, të gjithë futbollistët kuqezi janë rikthyer në fushën e lojës. Madje bindës dhe me gola në kampionatet ku ata aktivizohen. Kështu Ernest Muçi, që në fakt mungoi në skuadrën kuqezi në përballjen me Poloninë, vazhdon të jetë titullar i padiskutueshëm tek Legia e Varshavës. Në fitoren 3-1 ndaj kryesueses Rakov, Muçi ka dhënë asistin e golit në të 15’, kurse në këtë ndeshje ka patur minuta aktivizimi edhe për Çelhakën, i cili është aktivizuar në të 83’.
Ndërkohë një tjetër lojtar që nuk u aktivizua në kombëtare ishte Adrian Bajrami, që këtë javë ka shënuar me Benfikën B në barazimin 1-1 me Mafran.
Në Serinë A, Gjimshiti edhe këtë javë nuk është aktivizuar për shkak të dëmtimit, ndërsa Atalanta ka fituar 3-1 ndaj Kremonezes. Po kështu nuk ka patur minuta as për Marash Kumbullën në fitoren e Romës, 3-0 ndaj Sampdorias. Asllani ka hyrë në të 78’ në ndeshjen Inter – Fiorentina 0-1, ndërsa Hysaj titullar i padiskutueshëm në ndeshjen Monza – Lacio 0-2.
Në Serinë B, ai që ka rënë në sy është portieri i tretë i kombëtares sonë, Elhan Kastrati, që ka mbajtur të paprekur portën e Çitadelës në barazimin pa gola 0-0 në ndeshjen me Modenën. Sakaq gjërat kanë shkuar keq për Beneventon e Frederik Veselit, që është mundur 0-2 nga Breshia, ndërsa mbrojtësi kuqezi ka dalë me karton të kuq. Përgjithësisht një javë me ulje e ngritje, ndërsa të gjithë do të duhet të jenë gati për ndeshjet e qershorit në kualifikueset e Kampionatit Europian 2024, pikërisht më 17 qershor ndaj Moldavisë dhe më 20 qershor ndaj Ishujve Faroe.