• Sport

Muça për skuadrat pretendente: Nuk bindën në lojë

Gjirokastra 11 Prill 2023

“Dy skuadrat kryesuese nuk kanë bindur në dy ndeshjet e tyre respektive si pretendente që kërkojnë titullin”. Kështu mendon Shkëlqim Muça, i pranishëm në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH, i cili ka analizuar javën e 28-të të Superiores.

Fitorja pa shkëlqim e Tiranës – “Tirana të godet edhe në atë moment kur mendon se loja ka mbaruar. Pa shumë cilësi dhe pa shumë bukuri loje, mori tri pikët. Mbase nuk e meritoi fitoren, por e mori. Kukësi me ardhjen e Hallaçit ka ndryshuar, por akoma nuk është pjekur si skuadër. Por mendoj se me këto ndeshje që ka nuk do jetë e rrezikuar. Duhet të mendojë për vitin tjetër, të mos bëjë gabimet që ka bërë deri tani”.

Barazimi i të kuqve – “Egnatia mund ta kishte goditur edhe në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë e dominoi. Partizani luajti me hope. Disa lëvizje te skuadra e Egnatias në repartin e sulmit nuk i kuptoj. Për të kuqtë ishte një ndeshje ku mori atë që meritoi. Edhe trajneri e tha që mund ta kishin humbur ndeshjen”.

Fitorja kuqeblu – “Vllazninë e pamë me një ritëm tjetër, kishte shumë dëshirë, shkonin te porta shumë lojtarë. Krijoi edhe shumë raste. Është me ritëm tjetër, duket që diçka ka ndryshuar edhe në drejtim. Më parë ishte e lexueshme, ndërsa në këtë ndeshje ishte shumë e shpejtë. Fjalë të mira mund të them edhe për Erzenin, pavarësisht humbjes. Tani Vllaznia është më e plotë, ka ardhur edhe Latifi”.

Përmbysja e Laçit – “Ishte një ndeshje e barabartë, pavarësisht se Teuta shënoi në fillim dhe munnd ta menaxhonte situatën. Por u tregua e papjekur duke lënë shumë hapësira për Laçin. U duk se do të shkonte barazim, por ishte aftësia individuale e Shkurtajt që i dha tri pikët skuadrës kurbinase”.