“Do të shikojmë me kujdes mënyrën se si janë financuar fushatat zgjedhore dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në lidhje me zgjedhjet”, do të jetë fokusi që misioni i ODIHR-it do të ketë në monitorimin e zgjedhjeve vendore të 14 majit.
Shefja e Misionit të Vëzhguesve të OSBE-ODIHR për zgjedhjet vendore të 14 Majit, Audrey Glover tha se implementimi i ligjit është mjaft i rëndësishëm dhe se shpesh besimin se procesi i zgjedhjeve do të respektojë të gjitha praktikat demokratike që OSBE kërkon të shoh nga Shqipëria, ku kandidatët duhet të luajnë në kushte të barabarta dhe votuesit të zgjedhin të lirë.
“Të gjitha vendet anëtare të OSBE janë shprehur për të zhvilluar zgjedhje në përputhje me këto standarde. Ne do të lëmë faktet që të flasin për të vërtetën. Ne do t’i kushtojmë vëmendje të veçantë këtyre elementeve: punës së administratës zgjedhore dhe zbatimit të rekomandimeve të mëparshme, frymës së fushatës, pjesëmarrjes së grave në procesin zgjedhor dhe pjesëmarrjen e minoriteteve.
Më kujdes do të shikojmë mënyrën se si janë financuar fushatat zgjedhore dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në lidhje me zgjedhjet. Implementimi i ligjit është po aq i rëndësishëm sa ligji vet. Dhe për zbatim kërkohet vullnet. Ne jemi të interesuar të shohim nëse procesi është në përputhje me OSBE-në Të gjithë të kemi besim te procesi zgjedhor. Që procesi të ketë integritet zgjedhësit do të mund të bëjnë zgjedhje reale të mirë-infomuar mes kandidatëve të ndryshëm.
Kandidatët duhet të luajnë në kushte të barabarta dhe votuesit duhet të kenë të drejtën universale për të votuar. Zgjedhësit duhet të kenë mundësinë të votojnë të lirë, të fshehtë, të sigurt dhe vota të numërohet korrekt”, tha Glover në një konferencë për mediat.
Glover tha se misioni i ODIHR nuk është se kush fiton, por zgjedhjet të jenë transparente.
“Ne nuk ndërhyjmë në zgjedhje, nuk jemi as polici e as politikanë, nuk na intereson rezultati, duam vetëm të jemi të sigurt që procesi zgjedhor do të jetë transparent. Ajo çka na intereson është që rezultati të nxirret dhe të shpallet në mënyrë korrekte. Lidhur me situatën politike, ne nuk mund të krahasojmë zgjedhjet me ato të kaluarat, do shikojmë situatën dhe shpresojmë me të mirën”, tha ajo.
Do të jenë 13 ekspertë ligjorë për zgjedhjet dhe 24 vëzhgues afatgjatë që do të shpërndahen në të gjithë vendin, ku do të monitorojnë dhe informohen për mbarëvajtjen e procesit para 14 majit.
“Ne monitorojmë zgjedhjet për të para përputhshmërinë e zgjedhjeve me standardet ndërkombëtare. Kemi pasur bashkëpunim të mirë më KQZ dhe presim që të vazhdojmë në këtë drejtim. Të vazhdojmë bashkëpunimin me të gjitha autoritetet vendase. Ne do të kemi një ekip në Tiranë prej 13 ekspertësh, ku përfshihen ekspertë ligjorë për zgjedhjet dhe do kemi edhe 24 vëzhgues afatgjatë, që do të mirë-informohen për zgjedhjet dhe do të shpërndahen në të gjithë vendin. Për ditën e zgjedhjeve do të na bashkohen delegacioni i Parlamentit Evropian si dhe përfaqësues nga Kongresi i KiE për autoritete vendore.
Ne do të nxjerrim një raport të ndërmjetëm para zgjedhjeve dhe do të ketë një deklaratë ditën pas zgjedhjeve. Në deklaratë do të kemi gjetjet paraprake. Raporti final do të publikohet rreth 8 jave pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe do të përfshijë edhe rekomandimet për zgjedhjet e mëpasshme. Në këto rekomandime do të parashikohen mënyrat se si ODIHR kërkon të ndihmojë Shqipërinë në këtë proces”, tha Glover.
Gjatë vizitës së saj në Tiranë, Glover do të takohet me përfaqësuesit e partive politike. E pyetur nëse do të takojë Berishës, Glover tha se “do isha e lumtur të takohesha me këdo që është i përfshirë në këtë proces zgjedhor”.
Shefja e Misionit të Vëzhguesve të OSBE-ODIHR, Audrey Glover erdhi një ditë më parë ku u takua me kryekomisionerin Ilirjan Celibashi. Në fokus të diskutimeve të tyre ishte pikërisht monitorimi i zgjedhjeve vendore të 14 majit.