Të gjithë mjekët specialistë, të cilët do të kryejnë shërbime të ndryshme pranë spitaleve rajonale, bashkiake dhe ditore, kur konstatohet mungesa e tyre pranë këtyre spitaleve, do të marrin 250 000 lekë në muaj, plus pagës që ata kanë brenda sistemit spitalor.
Firmën e fundit për këtë do ta ketë ministria e Shëndetësisë dhe është në kuadër të financimit nga skema e detyrueshme e sigurimeve shëndetësore të paketës së shërbimeve të ofruara në spitalet publike për vitin 2023.
Sipas vendimit, i cili publikohet nga rtsh.al, për raste të veçanta të mungesës së mjekut specialist në shërbime të ndryshme të spitaleve rajonale, bashkiake dhe ditore, ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, brenda numrit të përgjithshëm të personelit spitalor, urdhëron kontraktimin, për një periudhë të caktuar, të mjekëve specialistë.
Për spitalet bashkiake dhe ditore, kur nuk plotësohen kushtet e përcaktuara, ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale urdhëron kontraktimin e mjekëve të përgjithshëm, pranë shërbimit të urgjencës.
“Mjekët e përcaktuar në këtë pikë, përveç pagës, trajtohen financiarisht me një bonus deri në 250 000 lekë në muaj. Vlera e bonusit përcaktohet, rast pas rasti, nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bazuar në vlerësimin e komisionit përkatës. Mjekët e kontraktuar, nuk përfitojnë shpërblim sipas ligjit për miratimin e strukturës dhe niveleve të pagave të personelit mjekësor, të punonjësve të tjerë me arsim të lartë dhe të punonjësve të personelit teknik të shkencave mjekësore, në sistemin e ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, në Njësinë Mjekësore Ushtarake pranë Spitalit Universitar të Traumës, në strukturat e tjera të Forcave të Armatosura dhe në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale dhe spitalin përkatës”,- thuhet në vendimin që i referohet rtsh.al.
Numri i pedagogëve me kontratë shërbimi për spitalet universitare miratohet nga ministri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe pagesa e tyre bëhet nga buxheti për shërbimet e spitalit.
Financimi i institucioneve dhe i shërbimeve, bëhet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, vetëm kundrejt shtesave përkatëse në buxhet, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. /rtsh.al/