• Lajme kombëtare

Ministrja e Shëndetësisë, Koçiu: Bonusi i bebes do të përqëndrohet tek familjet që jetojnë në Shqipëri

Gjirokastra 08 Tetor 2023

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu deklaroi të enjten në Kuvend se nga 36 % e përfituesve të bonusit të bebes, deri tani, mbi 67 mijë familje janë nga prindër që jetojnë jashtë vendit.

Në fjalën e saj në Kuvend ku po diskutohet për disa shtesa e ndryshime në ligjin “Për asistencën sociale”, Koçiu tha se, “propozimi ynë është që të kufizohet përfitimi i bonusit vetëm nga familjet rezidente në Shqipëri. Një reformë e tillë do të na mundësojë që ta fokusojmë mbështetjen tek familjet që jetojnë e kontribuojnë në Shqipëri”.

Synimi ynë, vijoi ajo, është që këtë skemë ta përmirësojmë.

“Bazuar në një analizë të kryer mbi përfitueshmërinë e programit, mbështetja e familjeve me fëmijë të porsalindur dhe vlerësimet e kryera nga grupet e punës dhe ekspertë të MSHMS dhe Shërbimit Social Shtetëror konstatohet se fëmijët e lindur nga prindër shqiptarë jashtë vendit në shumicën dërrmuese të rasteve përfitojnë pagesa të ngjashme edhe sipas legjislacioneve në vendet ku ata punojnë e jetojnë duke përfituar kështu pagesa apo shpëblime të dyfishta”, tha Koçiu.

Duke e cilësuar bonusin e bebes si një nga politikat më të suksesshme të kësaj qeverie, Koçiu u shpreh se “më herët kjo politikë u propozua si një nismë e qeverisë që synonte hartimin e një programi të ri kombëtar, i cili ofron mbështetje financiare për të porsalindurit dhe familjet e tyre pavarësisht statusit social apo ekonomik të tyre”.

“Ky ligj ka hyrë në fuqi prej datës 1 janar të vitit 2019. Sipas ligjit mbështeten familjet shqiptare mbështeten në masën 40 000 lekë për lindjen e foshnjës së parë; në masën 80 000 lekë për lindjen e foshnjës së dytë; në masën 120 000 lekë për lindjen e foshnjës së tretë dhe kështu me radhë të foshnjave të tjera në vijim. Ky program për 5 vitet e fundit ka ofruar mbështetje për pothuajse 200 mijë familje, që kanë sjellë në jetë familjet e tyre”, theksoi Koçiu.

Koçiu bëri të ditur se “konkretisht janë 38 mijë bonuse të shpërndara në vitin 2019, 36 mijë në 2020, 44 mijë në vitin 2021, 43 mijë në 2023 dhe rreth 29 mijë bonuse në 6 muajt e parë të këtij viti”.