Procesi i Berlinit dhe paraburgosja e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Alfred Beleri, ishin dy nga temat e ngritura të enjten në takimin mes ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, dhe homologun greke, Janis Oikonomu (o. Yiannis Oikonomou).
Takimi u mbajt në ministrinë shqiptare, ku ministri Oikonomu diskutoi edhe për çështje të sigurisë shtetërore, siç është ajo e kufirit greko-shqiptar.
“Diskutuam çështje të interesit të përbashkët, të fokusuar te siguria, si edhe bashkëpunimi që kemi zhvilluar në vitet e fundit, si në aspektin e menaxhimit të sigurisë dhe kufijve.
Po ashtu i ngrita homologut tim çështjen e paraburgimit të zgjatur të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, z. Fredi Beleri, dhe mbi të gjitha, cenimin e të drejtës së tij për t’u betuar dhe për të ushtruar detyrat si një kryebashkiak i zgjedhur në mënyrë demokratike, që shkel, ndër të tjera, edhe parimin e prezumimit të pafajësisë dhe del kundër legjislacionit europian, i cili është kushti më parësor për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor,” reagoi ministri Oikonomu në rrjetin X.
Ministri grek i Mbrojtjes Civile ka planifikuar një vizitë për të premten (15 shtator) në burgun ku po mbahet Beleri, në Durrës.
Gjykata e Posaçme mbajti ditën seancën e parë ndaj të pandehurit Beleri, pasi SPAK kërkon gjykimin e tij për korrupsion zgjedhor me akuzën e blerjes së votave për zgjedhjet lokale të 14 majit.
Kryebashkiaku i zgjedhur i ka kërkuar Gjykatës së Lartë ta shpallë të paligjshëm arrestimin e tij në flagrancë dhe përgjimet e kryera nga Prokuroria e Vlorës me person të infiltruar.