• Lajme nga bota

Ministrat e Jashtëm të G7 paralajmërojnë Rusinë: Nëse përdor armë kimike ose bërthamore në Ukrainë, do përballet me pasoja të rënda

Gjirokastra 18 Prill 2023

Ministrat e jashtëm të G7 gjatë takimit që po mbajnë në qytetin qendror japonez Karuizaëa në prefekturën Nagano, kanë deklaruar se Rusia do të përballet me “pasoja të rënda” për çdo përdorim të armëve kimike, biologjike ose bërthamore, ndërsa kanë paralajmëruar vendet që mbështesin Kremlinin, se do të përballen me kosto të rënda.

Retorika e papërgjegjshme bërthamore e Rusisë dhe kërcënimi i saj për të vendosur armë bërthamore në Bjellorusi janë të papranueshme. Çdo përdorim i armëve kimike, biologjike ose bërthamore nga Rusia do të përballet me pasoja të rënda. Ne mbetemi të përkushtuar për intensifikimin e sanksioneve kundër Rusisë, duke i koordinuar dhe zbatuar plotësisht ato. Ne përsërisim thirrjen tonë ndaj palëve të treta që të ndërpresin ndihmën për luftën e Rusisë, ose të përballen me kosto të rënda“, thuhet në komunikatën e lëshuar nga ministrat, raporton CNN.

Ministrat e jashtëm të G7-ës, kanë dënuar ashpër përdorimin e gjerë të manipulimit të informacionit dhe dezinformimit nga Rusia, për të fituar mbështetje për luftën e saj kundër Ukrainës.

Grupi i ministrave ka mbështetur gjithashtu edhe “eksplorimin e krijimit” të një tribunali ndërkombëtar me bazë në sistemin gjyqësor të Ukrainës për të ndjekur penalisht krimet e agresionit kundër Ukrainës.

“Nuk mund të ketë mosndëshkim për krimet e luftës dhe mizoritë e tjera si sulmet e Rusisë kundër civilëve dhe infrastrukturës kritike civile”, thuhet në komunikatë.

Komunikata vjen pasi ministrat e jashtëm të G7 përfundojnë bisedimet treditore këtë të martë (18 prill) në qytetin qendror japonez Karuizaëa në prefekturën Nagano.