Përkrah Uzunit në konferencën e zakonshme për shtyp ishte prezent edhe një tjetër aset i rëndësishëm i repartit të avancuar të Shqipërisë. I referohemi Anis Mehmetit, i cili fitoi besimin e Sylvinho-s falë paraqitjeve të mira me Bristol Sitin në Angli duke u grumbulluar për herë të parë nga përfaqësuesja jonë. “Është një ëndërr për mua dhe për familjen që të luaj për Kombëtaren shqiptare dhe të vesh fanellën kuqezi”, tregon mesfushori ofensif.
I pyetur nëse ndihej gati që të debutante me fanellën kuqezi të hënën mbrëma në Varshavë, 22-vjeçari tha: “Jam gati që të luaj nga minuta e parë në Poloni dhe të jem pjesë e formacionit titullar”.
Mes të tjerash ai komentoi edhe rivalët e radhës, të cilët i vlerëson, por nuk u frikësohet. “Polonia ka një skuadër shumë të fortë, por ne jemi të përqëndruar tek ajo që do bëjmë ne në fushë. Ata kanë Lewandovski-n, por ne jemi gati të luajmë lojën tone”, pohoi djaloshi i lindur në Londër.