Amortizimi ndër vite dhe mungesa e hapësirave ka sjellë nevojën e rikonstruksionit të Drejtorisë rajonale të shërbimeve të transportit rrugor në Durrës. Investimi është duke përfunduar dhe parashikon rikonceptimin e mjediseve në hyrje dhe dalje të automjeteve, sallës së kontrollit të automjeteve dhe hapësirave shlodhëse.
Në një sipërfaqe prej afro 7500 m2 drejtoria rajonale ka mundësuar me fondet e veta një investim me vlerë 101 milion lekë, i cili iu vjen në ndihmë mijëra qytetarëve nga Durrësi, Kruja, Kavaja, Rrogozhina dhe Shijaku.
Në sallën e kontrollit teknik të automjeteve është krijuar një linjë e re me 5 në total, 3 për autoveturat dhe 2 për kamionët.
Përgjatë një viti punë në drejtorinë rajonale të shërbimit të transportit rrugor Durrës kryhen afro 400 mijë shërbime, ndërkohë që 147 mijë drejtues mjetesh janë të regjistruar në regjistrin kombëtar për rajonin e Durrësit duke u renditur drejtoria e dytë më e madhe në vend pas Tiranës.