Autoritetet franceze po marrin masa për të ndaluar shitjen dhe përdorimin e cigareve elektronike me një përdorim për shkak të rrezikut që paraqesin për mjedisin dhe shëndetin publik.
Duke folur për mediet lokale, kryeministrja Elizabetë Borne (o. Elisabeth) tha se lëvizja ishte pjesë e një plani të ri antiduhan, i cili po përgatitet nga qeveria dhe pritet të hyjë në fuqi në fund të vitit.
Disa vende të tjera në Europë, si Gjermania, Belgjika dhe Irlanda kanë njoftuar ndalesa të tilla.
Cigaret elektronike njëpërdorimëshe në Francë kushtojnë rreth 9 euro, më pak se sa një paketë me 20 cigare.
Gjithsesi sasia e duhanit që përmban një cigare e tillë është e barabartë me 40 cigare të zakonshme.
Akademia kombëtare e mjekësisë i ka përshkruar ato si kurth për fëmijët dhe adoleshentët, dhe kryeministrja Borne argumentoi që cigare të tilla krijojnë një refleks me të cilin fëmijët mësohen dhe në fund përfundojnë me varësi ndaj duhanit.
Aktivistë kundër përdorimit të këtyre cigareve akuzojnë prodhuesit, shumica prej të cilëve me seli në Kinë, që në mënyrë të qëllimshme shënjestrojnë adoleshentët duke përdorur ngjyra të ndezura si dhe shije të ndryshme për t’i tërhequr ata.
Gazetare: Elda Pepa