Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) kanë nisur të marrin masa përgatitore për sëmundjet stinore, siç është edhe gripi.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, bëri me dije se janë siguruar 270 mijë vaksina ndaj gripit për të gjitha grupet e riskuara, për sezonin vjeshtë–dimër.
Ndërkohë që është siguruar vaksinimi falas ndaj gripit, vijon furnizimi me vaksinën ndaj COVID-19.
“Ne vëmë re që vaksina ka efektivitet, por e rëndësishme është doza përforcuese, sepse pas një kalimi kohe efektiviteti zbehet dhe natyrisht të gjithë personat mbi 60 vjeç këtë stinë duhet të vaksinohen njëkohësisht ndaj gripit dhe ndaj COVID. Kjo është mbrojtja më e mirë që përdor gjithë bota,” tha Prof. Silva Bino, shefe e Shërbimit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP.
Ministrja Manastirliu dhe ekspertë të ISHP-së vizituan Spitalin Infektiv për t’u njohur me masat e marra nga strukturat shëndetësore.
“Po ndjekim një plan masash, i cili tashmë është futur në planin e masave kombëtare, të përvitshëm, sa i përket mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të qytetarëve. Kemi marrë masat sa i përket forcimit të rrjetit të survejancës, shtrirjes së sistemeve digjitale që i përkasin aspekteve të monitorimit, situatës epidemiologjike dhe vaksinimit,” tha ministrja.