Rusët kanë qëlluar dhe rrëzuar tre dronë të lëshuar ndaj territorit të tyre. Një prej tyre shënjestroi krahinën e Tverit, dhe mbetjet e tij ranë në fshatin Zavidovo ku ndodhet edhe një prej rezidencave zyrtare e presidentit rus.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka bërë të ditur se mëngjesin e kësaj të marte ka eliminuar të paktën tre dronë të lëshuar nga Ukraina.
Sipas rusëve, sistemet e mbrojtjes ajrore të vendit të tyre kishin shkatërruar dy dronë mbi krahinat e Kaluga-s dhe Tverit, që janë në kufi me krahinën e Moskës, si dhe një tjetër mbi Istra, që është në rrethinat e Moskës.
Kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobyanin u shpreh se mbetjet e dronit që shënjestroi krahinën e Tverit, ranë në fshatin Zavidovo.
Sipas agjencisë së lajmeve Ria, në Zavidovo ndodhet edhe një prej rezidencave zyrtare të presidentit rus.
Agjencitë ruse të lajmeve raportuan se u anuluan përkohësisht 50 fluturime në katër aeroportet kryesore në kryeqytetet.
Sulmet me dronë ndaj shënjestrave ruse, veçanërisht në gadishullin e Krimesë që Moska aneksoi në vitin 2014 dhe krahinat në kufi me Ukrainën,janë bërë të zakonshme qëkur dy dronë shënjestruan Kremlinin në fillim të muajit maj.
Gjatë javëve të fundit sulmet kanë shkaktuar problem edhe me trafikun ajror në Moskë.
Ukraina rrallë pranon përgjegjësi të drejtpërdrejtë për sulme të tilla, por është shprehur se shkatërrimi i infrastrukturës ushtarake ruse ndihmon në avancimin e kundërofensivës që Kievi ka filluar në muajin qershor.
Gazetare: Elda Pepa