Kryeministri hungarez Viktor Orban ka zhvilluar një bisedë me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç, ku ky i fundit e ka njoftuar se autoritetet serbe do të lironin tre policët e Kosovës, para se të merrej vendimi nga Gjykata. Orban ka vlerësuar hapin e ndërmarrë nga Vuçiç, teksa e cilëson si dëshmi të miqësisë dhe bashkëpunimit strategjik mes Hungarisë dhe Serbisë.
“Presidenti serb Aleksandër Vuçiç sapo më njoftoi se, sipas kërkesës sime të formuluar gjatë takimit tonë javën e kaluar, autoritetet serbe së shpejti do t’i lirojnë nga paraburgimi tre policët e Kosovës të arrestuar më parë. E vlerësojmë lart hapin e Presidentit Vuçiç në këtë periudhë sfidash serioze. Ky hap është një dëshmi e qartë e miqësisë së thellë midis kombeve serbe dhe hungareze dhe e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve”, shkruan Orban.
Kryeministri hungarez u takua më 20 qershor me Presidentin Vuçiç, në Beograd, ku tensionet në veri ishin kryefjalë e bisedimeve mes dyshes.