• Lajme kombëtare

Ligji i ri i zgjedhjeve, partitë do i bashkojë Komisioni i Posaçëm për reformën

Gjirokastra 07 Shtator 2023

Partitë parlamentare janë bindur se pa ndryshime në ligjin elektoral nuk mund të hyjnë në zgjedhjet e ardhshme. Shumica qeverisëse votoi në fund të korrikut që të shtyjë afatin e punës së Komisionit të Posaçëm parlamentar, ndërsa zyrtarët e opozitës e artikuluan qartë këtë javë se duhen ndryshime të reja në Kodin Zgjedhor.

Zanafilla e ndryshimeve në ligj do të nisë nga rekomandimet e ndërkombëtarëve, të cilët mendojnë se mbeten të paadresuara çështjet që lidhen me përbërjen e komisioneve zgjedhore të niveleve më të ulëta, mekanizmin e tërheqjes së kandidatëve, të drejtat e votimit të personave me paaftësi intelektuale ose psikosociale, përgjegjësinë penale për shpifje, përdorimin e materialeve të fushatës të përgatitur nga partitë politike në lajme dhe të drejtat e barabarta të vëzhguesve partiakë dhe qytetarë.

Raporti i vëzhguesve që u publikua në mesin e muajit maj kritikon partitë në Shqipëri që nuk propozuan asnjë ndryshim ne ligjin zgjedhor.

Burimet i thanë RTSH-së se raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR-it do të publikohet së shpejti.

Gazetare: Sonila Agostini