Joan Laporta nuk e fsheh qëllimin e tij dhe atë të të gjithë ambjentit të Barcelonës. Presidenti blaugran, gjatë zhvillimit të Asamblesë së aksionerëve, ka hapur portat e një fushateje merkatoje për të forcuar skuadrën, e cila duhet të kthehet cilësore në Europë. Pas fitores dhe shpalljes kampion në La Liga sezonin e kaluar, objektivi është që Barcelona të rikonfirmohet si e tillë dhe të shkojë edhe më tej.
“Kemi arritur objektivin tonë, por kërkojmë edhe më shumë e kjo që nga unë i pari. Jemi kërkues dhe ambiciozë sepse jemi klubi më i mirë në botë”, i ka thënë Laporta aksionerëve të klubit.
“Po punojmë fort për të forcuar skuadrën e parë, duam të krijojmë mundësinë për të fituar në të gjithë kompeticionet. Kemi ulur nivelin e pagave, por në të njëjtën kohë kemi rritur vlerën e lojtarëve. Kemi një skuadër më shumë se sa cilësore dhe shumë të re. Jemi në rrugë të mbarë. La Liga e ka aprovuar planin tonë ekonomik të dy viteve të ardhshme. Mund t’i federojmë lojtarët”, ka theksuar Laporta.
Të paktën, Barcelona duket se i ka kaluar tashmë disa vështirësi, të cilat ishin të mëdha në sezonet e fundit, ndërsa e gatshme të kthehet në nivelet e larta të futbollit botëror.