Përmirësimi i cilësisë së shërbimit të ujit të pijshëm dhe uljet e humbjeve në rrjet kanë qenë temë debati mes opozitës dhe mazhorancës në Kuvend. Teksa në diskutim ishte pikërisht raporti i veprimtarisë së Entit Rregullator të Ujit (ERRU) për vitin 2022.
Ministra e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se sektori i ujësjellësit është përmirësuar ndjeshëm duke ulur ndjeshëm humbjet teknike në rrjet. Balluku foli edhe për investimet në ujësjellësit në vend, ku tha se i shërbejnë rritjes së cilësisë të këtij shërbimi për qytetarët.
“Ecuria pozitive në sektorin e ujësjellësit e shprehur me shifra është e vërtetueshme dhe jo një çështje politike. Nuk mund të jetë narrativë e vazhdueshme politike pas është shërbim bazik që ofrohet në pjesën më të madhe të vendit në kushte më të mira dhe do të vazhdojë në ndërmarrje të tjera me eficencën e burimeve njerëzore.
Ka pasur një numër të shtuar punonjësish për frymë. Eficenca energjetike që është padyshim ajo që rrit koston e produktit dhe e treta humbjet teknike në rrjet. Janë procese që po i aplikojmë dhe nuk është narrativë për t’u bërë nga momenti që çdo qytetar e ndjen përmirësimin e këtij shërbimi që është jetik për të gjithë ne”, tha Balluku.
Në të njëjtin mendim nuk ishte Sali Berisha i cili akuzoi qeverinë se rriti çmimin e uji më 70 % në një kohë kur Shqipëria është vendi më i pasur në rajon dhe Europë me burime ujore.
“Kjo seancë kushtuar ujit është një turbullirë e vërtetë. E përdor ujin si një mjet ndëshkimi ndaj qytetarëve. Në aktin e parë ia rritët çmimin me 40%, në një kohë kur Shqipëria në rajon është ndër vendet më të pasura në ujëra, dhe një ndër vendet më të pasura në Europë.
Në ligj dhe në moral, autoritetet e vendit duhet të shkojnë duke ia ulur çmimin gjer në dhënien falas të tij, për shkak të rezervave të pafundme natyrore që ne kemi. Por, ju rritët çmimin me pretekstin se duhet të sigurojmë furnizimin 24 orë”, tha Berisha.
Këto rritje Berisha ia faturon pikërisht humbjen teknike në rrjet, ku sipas tij janë në shifra alarmante.
“Ujësjellësi i Tiranës garanton humbje 62% sipas raportit të këtij Enti Rregullator të ujërave. I Durrësit, në të cilin u investua një kredi shumë e madhe e Bankës Botërore për të garantuar furnizimin me ujë 100%, ka humbje sot 71%. Pra, ju me lëvizjet që bëtë i dërguat drejt falimentimit të vërtetë këto sipërmarrje të mëdha”, tha Berisha.