Rastet e krimeve në familje kanë pësuar një rritje të konsiderueshme muajve të fundit, duke sjellë pasoja të rënda në popullatë.
Fenomeni evidentohet jo vetëm në qytete të vogla, por edhe në Tiranë, ku efektivët ndërhyjnë për të parandaluar përdorimin e armëve gjatë konflikteve të anëtarëve të familjeve.
Këto ndërhyrje çojnë në sekuestrimin e armëve dhe municioneve, që qytetarët i mbajnë në mjediset e shtëpive pa lejen e autoriteteve.
Sociologët thonë se institucionet ligjzbatuese duhet të mendojnë për një mundësi konkrete për mbledhjen e armëve në popullatë.
“Krimi në familje tashmë është një dukuri tashmë e pranishme në familje, e shprehur dhe me frekuenca shqetësuese. Mendoj se fushata e mbledhjes së armëve duhet të jetë e vazhdueshme,” shprehet sociologia Entela Binjaku.
Në 7 muajt e këtij viti janë regjistruar 27 vrasje gjithsej, ku 10 prej viktimave janë gra.
Pjesa më e madhe e tyre janë vrarë me armë zjarri, të cilat prejardhjen dyshohet se e kanë në trazirat e vitit 1997.
Kohë më parë është artikuluar mundësia për aplikimin e një amnistie, por deri tani ende nuk dihet nëse ajo do të implementohet.