• Gjirokastër

“Koto Hoxhi” fiton garën rajonale të konkursit “Gjuha jonë sa e mirë”

Gjirokastra 28 Mars 2023

Shkolla 9 vjeçare “Koto Hoxhi”, shpallet fituese e konkursit kombëtar “Gjuha jonë sa e mirë”, në përballjen rajonale. Mes shkollave “Adem Sheme”, Sarandë, “Meleq Gosnishti”, Përmet dhe asaj të Finiqit skuadra e vajzave gjirokastrite arriti të marrë 76 pikë në total, duke fituar kështu të drejtën për të vijuar  më tej konkurimin. Këtë vlerësim nxënëset e shkollës “Koto Hoxhi” e morën jo vetëm për përgjigjet e sakta të pyetjeve në fushën e gjuhës, por edhe nga prezantimi i projektit interesant i cili lidhej me krijimin e një biblioteke në ambientet e shkollës, vetëm me botime të autorëvë shqiptarë. Athalia, Amelia, Ester, Ameda, Juarda dhe Melina janë vajzat që me punën e kryer së bashku me mësuesen e gjuhës shqipe Refije Stroka e bërën jo vetëm Gjirokastrën krenare, por edhe rajonin jugor.

“Konkursi ishte shumë argëtues. Kishte pyetje të cilat ne i kishim hasur, pra nuk kishte nga ato që ne nuk e kishim zhvilluar më parë. Kishte emocione të forta. Ishim gjatë gjithë kohës në ankth sepse donim që të dilnim fitues, pra të prezantonim, jo vetëm shkollën tonë, por edhe rajonin në mënyrën më të denjë. Sigurisht që bërëm edhe gabime, si nga nxitimi dhe emocionet, por në fund ia dolëm.”, tha Amelia.

Jehonë të veçantë konkursit “Gjuha jonë sa e mirë” po i jep edhe RTSH Shkollë, një kanal i dedikuar arsimit i cili transmeton të gjitha episodet e këtij konkursi.