• Lajme kombëtare

Koha për deklarimin e pagës bruto 2022, në 30 prill përfundon afati ligjor, kujdes nga penalitetet

Gjirokastra 26 Prill 2023

Vetëm katër ditë kanë mbetur nga afati i fundi ligjor i plotësimit të deklaratës individuale vjetore të të ardhurave.

Të gjithë të punësuarit që gjatë vitit 2022 janë paguar me pagë bruto mbi dy milionë lekë, apo edhe të gjithë ata që kanë qenë të dypunësuar pavarësisht periudhës së dypunësimit gjatë një viti, do të duhet të plotësojnë DIVA ose Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave.

Sipas ligjit, data 30 prill është afati i fundit për deklarimin dhe pagesën e Tatimit mbi të Ardhurat Personale me Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) 2022.

Lajmi konfirmohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila rikujton individët rezidentë dhe jo rezidentë, që gjatë vitit 2022 kanë pagë bruto vjetore mbi 2,000,000 lekë apo ata, të cilët janë të dypunësuar, të paktën për një periudhë tatimore brenda vitit, të plotësojnë “Deklaratën individuale vjetore të të ardhurave”, si detyrim ligjor i individit, subjekt i deklarimit.  

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve “nuk janë deklarues të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) kategoria “i vetëpunësuar” (me të gjitha kategoritë e të vetëpunësuarit) dhe i punësuar në një subjekt (person fizik apo juridik) në të cilin përfiton të ardhura nga pagat dhe shpërblimet në lidhje me marrëdhëniet e punës, pasi kategoria “i vetëpunësuar” ka detyrim vetëm pagesën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe ka të përcaktuar në listëpagesë vlerën zero në rubrikën “Paga bruto”, sqaron Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.      

Deklarata DIVA 2022, gjenerohet e paraplotësuar automatikisht me të dhënat e të ardhurave vjetore bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, si edhe me përllogaritjen e Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi.  

Rubrikat e sipërpërmendura, megjithëse gjenerohen të paraplotësuara, do të vijojnë të jenë fusha të lira dhe të ndryshueshme, në mënyrë që deklaruesi të ketë mundësi t’i verifikojë dhe ndryshojë ato. Gjithashtu fushë e paraplotësuar do të jetë edhe vlera e paguar gjatë vitit përsa i takon Tatimit mbi të ardhurat nga Punësimi.  

Deklarimi i të ardhurave, përveçse është detyrim ligjor, i çdo individi subjekt i deklarimit, është edhe një garanci më shumë, lidhur me justifikimin e pasurisë së tij.