Katalonja po përballet me thatësirën më të keqe ndonjëherë në historinë e saj, teksa autoritetet po përpiqen të ruajnë cilësinë e ujit në një rezervuar duke hequr mijëra tonë peshk. Në rezervuarin Sau, skuadrat me varka të vogla janë duke punuar tërhequr peshqit me rrjeta, pasi ideja është që ato të hiqen para se të ngordhin dhe ta bëjnë ujin të papërdorshëm për konsum njerëzor.
Niveli i ujit ka rënë kaq poshtë, nën 10% të kapacitetit të rezervuarit, sa që tashmë ekziston rreziku që uji të kontaminohet nga llumi. Prandaj, ndërsa peshqit hiqen, uji i mbetur i rezervuarit po zbrazet në drejtim të rrymës në një rezervuar tjetër.
“Ne po përpiqemi të transferojmë ujin sa më shpejt që të mundemi, sepse cilësia tani në dimër ishte e mirë, por në pranverë do të bëhet vërtet, shumë e keqe, dhe ne po përpiqemi të nxjerrim të gjithë peshqit që mundemi”, tha Samuel Reyes, drejtor i Agjencisë Katalanase të Ujit.
Rezervuari Sau, 100 km në brendësi të Barcelonës, ka furnizuar me ujë qytetin dhe qytetet e tjera në rajonin verilindor të Katalonjës për gjysmë shekulli. Por muajt e fundit është bërë simboli më i dukshëm i thatësirës më të madhe që kjo zonë ka parë në kujtesën e gjallë.
Kjo pjesë e Katalonjës nuk ka parë shi të vazhdueshëm për dy vjet e gjysmë. Në fillim të marsit, niveli i ujit të rezervuarit kishte rënë në 8% të kapacitetit të tij, nga 55% një vit më parë.
Megjithëse situata e Katalonjës është veçanërisht shqetësuese, pjesa më e madhe e vendit po përballet me sfida të ngjashme, veçanërisht në zonat jugore dhe lindore. Në mesin e marsit, rezervuarët në pellgun e Guadalquivir të Andaluzisë kishin mesatarisht 26% të kapacitetit të tyre.
Në mars, agjencia meteorologjike e Spanjës AEMET deklaroi se vendi në tërësi “vazhdon në një situatë të thatësirës meteorologjike e cila filloi më shumë se një vit më parë”.
Jo të gjitha thatësirat shkaktohen nga ndryshimet klimatike, por rritja e nxehtësisë në atmosferë nxjerr më shumë lagështi nga toka, duke i bërë më keq periudhat e thata. Bota është ngrohur me rreth 1.1C që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat pritet të vazhdojnë të rriten nëse nuk ka shkurtime drastike të emetimeve.
Në Evropë, rajone si Katalonja, e cila ndodhet në Detin Mesdhe, janë veçanërisht të ekspozuara, sipas Miguel Manzanares, një meteorolog me bazë në Barcelonë që studion ngjarjet ekstreme të motit në kontinent.
“Zona e Mesdheut është një nga zonat më të cenueshme kur bëhet fjalë për ndryshimet klimatike”, tha ai, duke identifikuar vende si Franca, Italia, Greqia dhe ato në Ballkan si në rrezik të lartë./ BBC