• Lajme kombëtare

KAS urdhëroi KQZ të regjistrojë Alibeaj, reagon Berisha: U pranua i emëruari i Ramës

Gjirokastra 17 Mars 2023

Ish kryeministri Sali Berisha ka reaguar lidhur me vendimin e KAS që urdhëron KQZ të regjistrojë PD me kryetar në detyrë Enkelejd Alibeaj si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e 14 majit.

Berisha thotë se me këtë vendim është shkelur çdo standard.

“Të shpallësh kryetar atë që nuk është kryetar, do të thotë të pranosh të emëruarin e Edi Ramës. Është shkelur çdo ligj dhe standard i këtij vendi apo i këtij narkoshteti. Të pretendosh që Alibeaj, që nuk është votuar kurrë, nuk është emëruar kurrë, nuk është votuar në asnjë forum të partisë, që nuk guxon të votohet se nuk merr asnjë votë, që është shndërruar në peng të Ramës, është krytar i PD, këtë e bën vetëm Edi Rama. Ky është një pseudoshtet. Detyrohet të shkruajë kryetar nënkryetar i autorizuar. Nuk ka, ka rregulla të prera statusore” tha Berisha sot në konferencë me gazetarët.

Pas vendimit të djeshëm të KAS Partia Demokratike depozitoi sot në KQZ deklaratën solemne të firmosur nga kryetari në detyrë Enkelejd Aliebaj. 

Me këtë dokument që mban datën 16 mars 2023, KAS urdhëron Ilirjan Celibashin të regjistrojë si subjekt zgjedhor PD me kryetar në detyrë Enkelejd Alibeaj.

Nga ana tjetër dje KAS rrëzoi kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha për t’u regjistruar në zgjedhjet vendore me një subjekt të tij si drejtues partie.