KAS ka marrë këtë të enjte (16 mars) në shqyrtim ankimimin e Partisë Demokratike me kryetarin në detyrë Enkelejd Alibeaj lidhur me vendimin e KQZ për mosregjistrimin e PD-në në zgjedhje, për faktin se “deklarata solemne” duhet firmosur nga kryetari i dorëhequr Lulzim Basha.
Përfaqësuesi ligjor i PD, Indrit Sefa ka deklaruar para KAS se autorizimi nga Lulzim Basha është i vlefshëm dhe se KQZ është informuar për dorëheqjen e tij.
Sefa shton më tej se komisioneri ka bërë interpretimin e gabuar, pasi sipas Sefës kryetari firmos si pasojë e funksionit të tij si kryetar dhe detyrimet për marrjen e drejtimit rregullohet nga partia.
“I gjithë arsyetimi bazohet në dy pika: sipas interpretimit komisioneri pretendon se nuk është mjaftueshëm i qartë autorizimi për datën e zgjedhjes 14 maj. Komisioneri ngatërron 2 autorizimet i posaçëm dhe i përgjithshëm. Ky autorizim i ka tagrat e përmbledhura dhe është i përgjithshëm. S’do përbënte arsye për komisionerin që të mos e regjistronte. Autorizimi i pretenduar nga komisioneri si jo mjaftueshëm i qartë, mund të vlejë për çfarëdo lloj date nga janari në dhjetor. Sepse e ka tagrin e përcaktuar. Zgjedhjet janë periodike dhe detyrimisht ato do ishin ën vitin 2023.
Fakt tjetër është dhe kodi zgjedhor që përcakton se periudha është nga 15-prilli deri në 15 maj. Autorizimi i jep tagra të përfaqësuarve për të bërë kërkesat dhe për regjistrimin e partisë politike në KQZ. Kërkesa është firmosur nga unë.
Deklarata dhe formulimi nga komisioni rregullator, përcaktohet se deklarata solemne lëshohet në emër të subjektit. Autorizimi nga Basha është i vlefshëm. Kemi tagrin për kërkesa”, tha Sefa.
Ky i fundit shtoi se ligji për partitë politike nuk ka kufizime, ndërsa bëri me dije se shëmbulli i marrë nga KQZ ku heq paralale mes betimit të Presidentit dhe të një kryetari partie, është i metë dhe i çalë. Sipas tij, nuk mund të merren në analogji të dyja rastet, pasi Presidenti betohet si individ, ndërsa kryetari i një partie betohet në funksion të përfaqësimit të institucionit.
“Nuk ka kufizime ligji për partitë politike. Komisioneri bën interpretim të gabuar dispozitës se e merr si angazhim personal, kryetari firmos si pasojë e funksionit të tij si kryetar partie. Kjo është fryma e ligjit që detyrimet ti marrë partia. E krahasoni me formulën e betimit të presidentit. Por kjo është në kundërshtim. Është domosdoshmëri që presidenti të betohet që të marrë detyrën.
Presidenti bën formulën e betimit si akt individual dhe në asnjë rresht nuk thuhet që presidenca do respektojë kushtetutën., por ai si individ. Jo në funksion të përfaqësimit të institucionit. Shembulli i marrë nga KQZ është i metë dhe i çalë. S’mund të merren në analogji të dyja rastet.
Ne kemi bërë të qartë janë dy shkresa që i kemi depozituar komisionerit, shkresa me nr. 16, datë 11/3/2023; ku ne informojmë komisionerin që nga ana e PD dokumentacioni është paraqitur i plotë dhe informon që z. Basha ka dhënë dorëheqjen dhe në bazë të rregullave statutore të organizimit të partisë nuk ka detyrim të depozitojnë në gjykatë mënyrën e zgjedhjes së kryetarit të ri, rregullimet e brendshme të kryetarit të ri”, theksoi ai.