• Lajme kombëtare

Kapja e 3 policëve të Kosovës nga Serbia, Rama: Të lirohen dhe të përmbushen kërkesat e bashkësisë euro-atlantike për shtensionim të situatës

Gjirokastra 15 Qershor 2023

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të përmbushin kërkesat e ndërkombëtarëve për shtensioninim e situatës në veri. Lidhur me kapjen e 3 policëve të Kosovë nga Serbia, Rama tha se për këtë ngjarje hetimi që do të bëjë KFOR nuk do të jetë publik, ndërsa shtoi se ato duhet të “kthehen sa më parë në shtëpi”.

“Mesa duket KFOR-i nuk do të dalë me konkluzione publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës. Pavarësisht pretendimeve të ndryshme për vendndodhjen, ata duhet të kthehen sa më parë në shtëpi!  Qysh dje ne jemi 100% të fokusuar tek lirimi i tyre! Nuk ka asnjë paralele mes tre policëve dhe personit me precedentë kriminalë të arrestuar nga policia e Kosovës në Veri!  De-eskalimi mbetet prioriteti i prioriteteve dhe pikat e vendosura nga bashkësia euro-atlantike duhen përmbushur një orë e më parë”, shkruan Rama në twitter.

Një ditë më parë situata mes Kosovës dhe Serbisë u tensionua edhe më tej. Policia e Kosovës bëri me dije se dyshojnë se forcat serbe kanë rrëmbyer tre Policë kufitarë të Kosovës.

Ndërsa Kosova konsideron se rrëmbimi i efektivëve është kryer 300 metra në brendësi të territorit të Kosovës, Serbia thekson se tre Policët janë arrestuar 1.8 kilometra larg vijës administrative në rrugën Orahovë-Gnjilicë.

Ngjarja nxiti reagimin e ndërkombëtarëve të cilët u kanë bërë thirrje palëve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për de-përshkallëzimin e pakushtëzuar të situatës.