• Lajme kombëtare

Kamioni me 324 kg kokainë në Portin e Durrësit, arrestohen dhe 4 të tjerë në Maqedoninë e Veriut

Gjirokastra 05 Prill 2023

4 persona në Maqedoninë e Veriut janë arrestuar pasi ishin pjesë e grupit kriminal të trafikut ndërkombëtar të drogës, ku një sasi prej 324 kg kokainë u kap në 2021 në Portin e Durrësit.

4 të arrestuarit janë zbuluar pas disa muajsh hetimet mes SPAK dhe autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, të cilët bashkëpunonin me Nazif Ajroski, shofer i kamionit në të cilën u gjetën 324 kg kokainë që po i kalonte përmes portit të Durrësit.

“Pas një hetimi të përbashkët disamujor dhe kryerjes së shumë veprimeve hetimore, në datën 03.04.2023 autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut arrestuan katër shtetas si të dyshuar për veprat penale të trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Të arrestuarit dyshohet se kanë bashkëpunuar me të pandehurin Nazif Ajroski në tentativën për të trafikuar përmes Portit të Durrësit të sasisë prej 324 kg e 400 gram kokainë, e sekuestruar në datën 18.06.2021”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Nazif Ajroski është dënuar nga GJKKO me 8 vite burg për akuzën e “trafikimit të lëndëve narkotike”. Ai u kap në 18 qershor 2021 në Portin e Durrësit, ku në kamionin të cilin ngiste kishte fshehur mbi serbatorin e mjetit sasinë prej 324 kilogram e 400 gram kokainë.

Kokaina ishte paketuar në 300 pako të mbështjella me natriban, të cilat ishin të stampuara me logo të ndryshme të firmave të njohura të shtëpive të modës, klubeve të futbollit apo imazhin e whiskyt të famshëm brazilian.