• Gjirokastër

Kalaja e Palokastrës dhe rijetëzimi i saj

Gjirokastra 04 Prill 2023

Mundësia e rijetëzimit të kalasë së Palokastrës, një prej dëshmive të rëndësishmë të qytetërimeve antike në Luginën e Drinos do të evidentonte jo vetëm vlerat  e saj historike, por do të shërbente edhe për nxitjen e turizmit në këtë zonë. Mbetje të mureve të gurta të  kalasë së dikurshme ndodhen disa kilometra në hyrje të fshatit Palokastër në zonën ku lumi i Kardhiqit bashkohet me rrjedhën e Drinos. Gjatë viteve të fundit, kanë qenë disa eksepedita arkeologjike vendase dhe të huaja, të cilat kanë zhvilluar kërkime dhe studime në rrënojat e kësaj kalaje. Mes të tjerash, ata kanë evidentuar vlera të rëndësishme si dhe dëshmi interesante në lidhje me rolin, që ka patur kjo kala në zhvillimet historike të kësaj zone. Përfaqësues të komunitetit të fshatit Palokastër apelojnë për domosdoshmërinë e rijetëzimit të këtij monumenti kulture çka do të tërhiqte vizitorët vendas dhe të huaj në këtë zonë. Majori anglez,  Lik ishte i pari që e vizitori Kalanë e Palokastrës duke e datuar ndërtimin e saj në periudhën e antikitetit të vonë. Arkeologu shqiptar, Apollon Braçe punoi në vitet 1974 –1976 me një ekspeditë, duke hedhur dritë mbi përmasat e sitit. Arkeologu gërmoi në Kalanë në formë trapezi me një sipërfaqe rreth 1 ha, e barabartë për të mbajtur brenda vetes së saj një legjion romak me rreth 1000 ushtarë. Kalaja kishte katër hyrje dhe 14 kulla.