• Lajme nga bota

Izraeli marrëveshje 400 mln dollarëshe me Greqinë, i shet raketa antitank

Gjirokastra 11 Prill 2023

Izraeli ka nënshkruar një marrëveshje prej 400 milionë dollarësh për t’i shitur Greqisë raketa antitank Spike.

Ministria e Mbrojtjes e Izraelit ka bërë të ditur se marrëveshja ka ardhur disa ditë pasi arriti një marrëveshje të përmasave të ngjashme për të siguruar mbrojtje ajrore për Finlandën, anëtare e sapoardhur e NATO-s.

Spike është një raketë e drejtuar kundër tankeve e përdorur nga shumë vende të BE-së dhe NATO-s, e prodhuar nga kontraktori shtetëror izraelit i mbrojtjes “Rafael”.

Raketat Spike do të forcojnë portofolin e mjeteve operacionale të ushtrisë greke dhe ne presim zgjerim të mëtejshëm përmes bashkëpunimeve strategjike në të ardhmen e afërt,” tha CEO i Rafael, Yoav Har-Even.

Ministri i mbrojtjes i Izraelit u shpreh se marrëveshja përforcon lidhjet midis vendeve.

Javën e kaluar Izraeli dhe Rafaeli shpjeguan se do t’i siguronin Finlandës sistemin e avancuar të mbrojtjes ajrore David’s Sling, pasi ajo u bashkua zyrtarisht me Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut më 4 prill, shkruan Ekathimerini.

Finlanda do të marrë sistemin e mbrojtjes të krijuar për të përgjuar raketat balistike dhe të lundrimit në një marrëveshje prej 316 milionë euro.

Ajo ende kërkon miratimin nga Shtetet e Bashkuara, e cila është e përfshirë në zhvillimin e sistemit.

Pranimi i Finlandës, duke i dhënë fund shtatë dekadave të mos-angazhimit ushtarak, dyfishon afërsisht gjatësinë e kufirit që ndan NATO me Rusinë dhe forcon krahun e saj lindor, ndërsa lufta në Ukrainë po vazhdon pa asnjë zgjidhje në horizont. Nga ana tjetër, Rusia ka paralajmëruar se do të kundërpërgjigjet.

Finlanda tha se marrëveshja me Izraelin do të rrisë ndjeshëm aftësitë e saj. Izraeli e quajti atë një “hap kuantik” në bashkëpunimin e mbrojtjes midis dy vendeve.

/rtsh.al/