“IMPACT WEEK”, ka hyrë në javën e dytë të organizimit në Universitetin “Eqrem Çabej”. Ky event i rëndësishëm që po zhvillohet për herë të parë në Ballkan, mundëson ndjekjen e kurseve për Desing Thinking, një aftësi jashtëzakonisht e rëndësishme për të qënë e përshtatshme për tregun e punës. Impact Week është një program i cili do që të nxisë inovacionin dhe sipërmarrjen në vende ku kjo mungon dhe ku ndryshimi është i nevojshëm.
Nxënës, studentë, përfaqësues nga bashkia, biznese janë bërë pjesë e këtij eventi, ku do të trajnohen nga 25 trajnerë nga e gjithë bota. Sipas drejtueses së trajnerëvë, Muktha Hiremath, metoda që do të implementohet lidhet me dizenjimin e të menduarit, se si të bësh plane për të zgjidhur sfidat me të cilat përballet rajoni jugor.
“Ne duam të ndërgjegjësojmë të rinjtë , qeverisjen, të gjithë aktorët lokalë që t’i japin një nxitje inovacionit, teknologjisë dhe nxitjes së sipërmarrjes në këtë vend, ku tashmë e kemi identifikuar që është goxha e nevojshme dhe mund të ndikojë te zhvillimi.
Jemi ekspertë nga e gjithë bota, nga kompani të ndryshme, të cilët në bashkëpunim me universitetin dhe aktorët lokalë kemi identifikuar katër sfida të mëdha që i përball rajoni. Janë sfida që lidhen me punësimin , sfida që kanë bizneset për t’u bërë atraktivë për punëmarrësit dhe sfida që ka vetë universiteti për ta bërë veten atraktiv e për t’u lidhur me tregun, sfida që kanë të rinjtë për sipërmarrjen dhe sfida e të gjithëve bashkë për të rritur cilësinë e jetës. Nëqoftëse nuk do të kemi një cilësi të mirë jete këtu, nuk i mbajmë dot njerëzit në rajon.”, tha drejtuesja e trajnerëve, Muktha Hiremath.