• Gjirokastër

Gratë delvinjote kryejnë mamografinë në Gjirokastër

Gjirokastra 24 Tetor 2023

Kanceri i gjirit është një nga kanceret më të shpeshtë te gratë, por që mund të zhvillohet dhe te burrat. 83 vjeçari Eqrem Boçi nga Delvina sot i është drejtuar mamografisë për të kryer një ekzaminim të gjirit pas një ekoje ku janë vërejtur probleme në gjirin e majtë.

 “Kam ardhur nga Delvina sot per tu ekzaminuar me mamografi pasi kam konstatuar në gjoksin tim nga ana e majtë ndyshime. Kam bërë eko e cila ka dalë me problem dhe po vazhdoj ta mbaj në kontroll. Kohët e fundit e kam konstatuar. Ju bëj apel edhe burrave menjëherë sa vërejnë një ndryshim  të paraqiten për të bërë kontroll që ta kapin problemin në kohë. Jam në vazhdim të ekzaminimeve”, – thotë 83 vjeçari.

Eqremi i ishte bashkuar një grupi grash nga bashkia Delvinë të cilat në muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, vendosën që një ditë  t’ia kushtojnë shëndetit të tyre.

Është viti i katërt që gratë dhe vajzat Delvinjote, në mungesë të shërbimit të mamografisë në qytetin e tyre, organizohen nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor, për të kryer këtë ekzaminim të rëndësishëm, duke udhëtuar drejt Gjirokastrës.

Çdo vit mbi 100 gra delvinjote kryejnë kontrollin e gjirit përmes mamografisë lëvizëse dhe asaj në spitalin rajonal “Omer Nishani”.