Pishinat janë një alternativë e mirë, për të kaluar këto ditë të nxehta, për të gjithë ata që e kanë detin larg. Në Gjirokastër funksionojnë dy të tilla e duket se më tepër i gëzohen fëmijët e të rinjtë.
Të dyja këto ambiente çlodhëse e argëtuese mund të frekuentohen pa frikë nga qytetarët këtë sezon vere. Sigurinë e japin specialistët e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor të cilët të paktën dy herë në javë kryejnë monitorime.
“Kryejmë dy matje. Atë që e quajmë cilësore, për të parë praninë e klorit në ujë. E dyta eshtë analiza kimike e ujit të pishinës. Kryhet në laborator ku matet sasia e klorit, amoniakut, nitratit, lëndëve organike. Nga çfarë kemi konstatuar, të dyja këto ambiente, ujin e kanë brenda parametrave.”, – shprehet Noris Doraci, specialist i NJVKSH Gjirokastër.
Cilësia e shërbimit ndaj klientëve është prioritet për administratorët. Janë vetë ata që i kontrollojnë parametrat e ujit dhe kryejnë rregullisht pastrimin e pishinës.
“Kontrollet janë të përhershme dhe të befasishme, por për ne nuk është problem. Ne e kryejmë matjen e sasisë së klorit tre herë në ditë. Kemi paisjet tona. Uji filtrohet 24 orë. Edhe kimikatet që përdoren janë të çertifikuara nga KE. Duam që klientët tanë të jenë të sigurt.” , – thotë Ermali, administrator i një prej pishinave.