• Gjirokastër

Gjirokastra me ofertë për jetë nate / Vizitorët vlersojnë aktivitetet e shumta përgjatë orëve të vona të natës

Gjirokastra 10 Shtator 2023

Gjirokastra tashmë ka plotësuar gjitha normat e duhura dhe ka marrë vlerësime nga turistët dhe vizitorët, sepse nevojat e tyre për argëtim ofrohen jo vetë ditën, por edhe natën. Ndodhemi në mesin e muajit shtator dhe këtu në qendrën historike të qytetit është vështirë të gjesh dallime midis gjallërisë së ditës me atë të natës.

Qyteti i gurtë, por aspak i ngurtë, në orët e natës ofron diçka dhe gjithçka për çdo moshë. Bare, restorante, koncerte me muzikë moderne, tradicionale, mandej edhe polifoni. Cilësia e jetës së natës këtu lëvdohet shumë, bazuar në aktivitetet e larmishme të natës. Qendra muzeale e qytetit mbetet kompakte edhe natën, duke lejuar bujtësit të gëzojnë një sërë aktivitetesh pa pasur nevojë të udhëtojnë në të gjithë qytetin.

Vizitorët thonë se e kanë natën më të mirë se ditën, kur dalin e shëtisin, kur kërkojnë një restorant tradicional për ushqim dhe pije, kur lëvizin me vështirësi përmes një turme vizitorësh që lëvizin të shpenguar. Gjithçka, për ta është thuajse ideale.

Vizitorët janë të shumtë në numër dhe argëtimi nuk ka fund. Edhe pse në orën 23 muzika e fortë si rregull ndërpritet, baret dhe dyqanet e suvenireve qëndrojnë të hapura deri pas mesnate. Guidat i orjentojnë vizitorët drejt bareve të Kodrës, Pazarit, Obeliskut, Bashtesë së Teqesë, Kubesë, Sheshit të Çerçizit. Kudo e njëjta gjallëri.

Të gjthë përjetojnë një natë interesante në këtë qytet, ku nata është më të shurmëshme se dita, Dita kalon pa u ndjerë në muzeumet e shumtë të qytetit. Por nëse dëshironi të kaloni një përvojë të paharrueshme nate në jetën tuaj, udhëtoni drejt Gjirokastrës, ku dita humbet brenda thesarit të trashëgimisë arkitekturore dhe historike të këtij muzeu gjigand e të hapur, ndërsa nata është koha ku gjumi bëhet i harruar dhe i ndaluar.