“Gjirokastra 100”, Histori e parrëfyer amerikane në Gjirokastër. Kështu titullohet libri që mban autorësinë e regjisorit Ilirjan Lluri, i cili promovimin e tij zgjodhi ta bënte mes nje rrethi të ngushtë miqsh. Siç shprehet Lluri një nga arsyet që e shtynë në hartimin e këtij libri është se brezi i ri është i painformuar dhe indiferent ndaj ngjarjeve të historisë kombëtare.
Është i pari botim i natyrës historike i autorit ku vjen si risi një histori e ndodhur 80 vjet më parë e cila është krejtësisht e panjohur për sytë e publikut dhe historianëve vendor. Në libër i kushtohet një vëmëndje e veçantë kontributit që kanë dhënë SHBA për pavarësinë shqiptare, e shtrirë kjo në një periudhë shumë të gjatë. Sigurisht ka një informacion të bollshëm në lidhje me fillesat e emigracionit shqiptar në SHBA dhe me kontributin e këtyre emigrantëve në emancipimin e shoqërisë gjirokastrite. Gjithashtu në libër është përfshirë një mozaik 100 vjetorësh, ku me 100 vjetorin e SHBA përkonin dhe tetë 100 vjetorë të tjerë të ngjarjeve të rëndësishme me karakter të theksuar social dhe shoqëror për Gjirokastrën. Mund të përmendim mbledhjen e parë për organizimin e fluturimit ajror në Gjirokastër, gjyqi i parë kundër një media të lirë, formimi i bandës së parë me djem gjirokastritë në Amerikë etj.” Ky është libri i pestë i Ilirjan Llurit që ndryshe nga 4 të parët që i kushtoheshin botës së fëmijëve ka karakter historik.
Gazetare: Yllka Ponde