• Gjirokastër

Gjirokastër, 680 ekzaminime brenda muajit tetor/ 90% e grave iu nënshtruan për herë të parë mamografisë

Gjirokastra 06 Nëntor 2023

Nga viti në vit, Tetori Rozë po rezulton me më shumë ekzaminime të kryera përmes mamografisë në Spitalin Rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër. Mjeku radiolog Ermir Mahilaj shprehet se nga 680 ekzaminime të kryera gjatë fushatës sënsibilizuese, rreth 90% ishin gra dhe vajza që i nënshtroheshin mamografisë për herë të parë. Me numrin në rritje të kontrolleve sipas Mahilajt që prej vitit 2018 është rritur edhe incidenca e patologjive të gjoksit me 2-3% duke e çuar në 15%.

“Rezulton se janë kryer diku te 680 ekzaminime të mamografisë. Mund të ketë qënë dhe më i madh, por kaq janë të iventarizuara. Nga ky numër ka një incidencë nga 13-15 % të patologjive të gjoksit. Flasim për patologji të gjoksit pasi është kohë e shkurtër për të diagnostikuar nëse kanë sëmundje të keqe. Në qoftë se e krahasojmë me vitet e kaluar, që prej 2018 kur është vendosur në punë kjo aparaturë, ka një rritje diku me dy – tre % të incidencës. Kjo tregon që edhe gratë që nuk e kanë pasur mundësinë të ekzaminohen vitet e kaluar këtë vit i janë shtuar fushës së ekzaminimit.Në përgjithësi nga kjo shifër 10-15 % janë gra për rikontroll, shumica janë ekzaminime për herë të parë. Këto nuk janë patologji që lidhen me kancerin e gjirit, por janë patologji shoqëruese. Presupozohet që nuk kanë pasur dijeni”, ­- thotë Ermir Mahilaj, mjek radiolog. Gjatë muajit tetor mamografija në spitalin e Gjirokastrës funksionoi prej orës 8 të mëngjesit deri në orën 16 në të 7 ditë e javës. Shërbim në të kanë marrë jo vetëm gratë dhe vajzat gjirokastrite, por edhe nga zonat e tjera si Tepelena, Përmeti e Delvina.