• Lajme nga bota

Frikë për katastrofë nga shkatërrimi i digës, Zelenksy: Bombë mjedisore ndaj Ukrainës

Gjirokastra 07 Qershor 2023

Nivelet e ujit vijuan të rriten edhe ditën e sotme pasi diga e pushtuar nga Rusia dhe hidrocentrali u shkatërruan më herët të martën, duke detyruar më shumë se 1,400 njerëz të lënë shtëpitë e tyre dhe duke u kërcënuar për furnizimet jetike të ujit pasi janë përmbytur qytete dhe toka bujqësore.

Kievi dhe Moska kanë shkëmbyer akuza për shkatërrimin e digës, pa dhënë prova konkrete se kush është realisht fajtori. Deri më tani nuk është ende e qartë nëse diga është sulmuar qëllimisht apo nëse ka ndodhur në mënyrë aksidentale.

Megjithatë, presidenti Zelensky, ka bërë përgjegjës Rusinë ndërsa ka kërkuar  që prokurorët ukrainas po hetojnë ngjarjen.

 “Pasojat e tragjedisë do të jenë të qarta brenda një jave. Kur uji të largohet, do të bëhet e qartë se çfarë ka mbetur dhe çfarë do të ndodhë më pas”, tha ai.

Shpërthimi i digës mund të jetë rrezik për jetën e egër, tokat bujqësore, vendbanimet dhe furnizimet me ujë, përmbytjet dhe ndotjen e mundshme nga kimikatet industriale dhe nafta që rrjedh nga hidrocentrali në lumin Dnipro.

Kreu i kompanisë kryesore të prodhimit të hidroenergjisë në Ukrainë tha për CNN se pasojat mjedisore do të jenë të rënda.

“Para së gjithash, rezervuari Kakhovka ka të ngjarë të thahet në zero dhe ne e kuptojmë se numri i peshqve gradualisht do të bjerë” tha Ihor Syrota, CEO i Ukrhydroenergo.