Krijimi i urave për rrjetëzim dhe bashkëpunim midis organizatave të shoqërisë civile qytetarëve dhe aktorëve të interesit në luftën kundër korrupsionit, forcimin e shtetit të së drejtës dhe mirëqeverisjen!” Kjo ishte tema e forumit të diskutimit të mbajtur sot në Gjirokastër nga qendra Altri. Ky event u realizua në kuadër të zbatimit të projektit “Shoqëria civile kundër korrupsionit – nga një sfidë vendore në një përgjigje Evropiane” e mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian. Kordinatorja Elita Jata shprehet se nëpërmjet kësaj inisiative synohet të rritet kapaciteti i organizatave të shoqërisë civile, po ashtu edhe i institucioneve në luftën kundër korrupsionit për të lehtësuar procesin e integrimit europian.
“Në janar të 2023 kemi filluar zbatimin e një iniciative “Shoqëria civile kundër korrupsionit – nga një sfidë vendase në një përgjigje Europiane” dhe po realizohet në partneritet me Komitetin Shqiptar të Helsinkit e mbështetur nga BE dhe do vijojë për një periudhëë tre vjeçare. Kjo inisiativë synon të rrisim kapacitetet e organizatave të shoqërisë civile, po ashtu edhe të institucioneve në luftën kundër korrupsionit për të lehtësuar procesin e integrimit europian. Sot ishim në Gjirokastër jo vetëm për të prezantuar këtë inisiativë, por edhe një nga aktivitetet kryesore që qendra Altri ka në zbatim të këtij projekti që është ngritja e një rrjeti kombëtar kundër korrupsionit. Do të jetë një rrjet informal që do përfshijë disa aktorë, shoqërinë civile, median, institucionet publike të angazhuara në luftën kundër korrupsionit, po ashtu biznest që janë të prekura nga ky fenomen, qytetarët etj. Rrjeti synon të përfshijë 50 organizata të shoqërisë civile në nivel kombëtar, po ashtu dhe aktorë të tjerë. Po zhvillojmë 10 takime në qarqe të vendit për të ftuar gjithë organizatat dhe për të diskutuar me ta mbi mënyrën si do ngrihet rrjeti dhe si do funksionojë.”- tha kordinatorja Elita Jata
Qendra Altri është një organizatë në Tiranë që funksionon prej 12 vitesh e përqëndruar në çështjet e drejtësisë.