• Raportime

“Forcimi i turizmit të qëndrueshëm përmes përmirësimit të shërbimeve”, Trajnim për bizneset turistike nga universiteti “Eqrem Çabej”

Gjirokastra 25 Tetor 2023

Turizmi është pa dyshim një nga sektorët që po shënon ecurinë më të mirë, por mangësitë janë evidente dhe sigurisht që ka nevojë për përmirësim. Kontributin e tij në këtë drejtim e jep edhe universiteti “Eqrem Cabej”.Për dy ditë, pedagogë të Fakultetit Ekonomik kanë organizuar një trajnim për njësitë private të turizmit, por edhe institucioneve publike ku në qendër ishte përforcimi i turizmit të qëndrueshëm përmes përmirësimit të shërbimeve.

“Pjesë e misionit të UGJ përvec transmetimit të dijeve te studentët dhe kërkimit shkencor është që të ndikojë në jetën e komunitetit rajonal. Në këtë rast, universiteti ka vendosur në dispozicion të gjitha burimet që ka , te gjitha kapacitetet e veta, duke përfshirë mjediset, pajsjet teknologjike,dijet e stafit akademik për realizimin e qëllimit të këtij trajnimi. I drejtohet të gjitha bizneseve turistike të zonës dhe vjen si pasojë e një studimi që është zhvilluar me qëllim evidentimin e mangësive kryesore që kanë njerëzit që punojnë në bizneset turistike. Është dizenjuar në mënyrë të tillë që të mbushi këtë hendek midis nevojave të tregut dhe njohurive aktuale që kanë të punësuarit në biznesin turistik”, – shprehet Eduina Guga, pedagoge në Fakultetin Ekonomik.

Në të dyja ditët, temat përfshinë modulet e marketingut, menaxhimit të burimeve njerëzore, administrimit të aspekteve bazike të biznesit turistik, menaxhimit financiar, dhe dixhitalizimit të aktivitetit turistik,të cilat janë adresuar në nevojat që ata kanë, pra me aspektet konkrete të zhvillimit të biznesit turistik.

Pjesëmarrësit u përfshinë në diskutime, ushtrime praktike dhe sesione të shkëmbimit të njohurive që synojnë promovimin e praktikave të qëndrueshme të turizmit.