• Memaliaj

Festohet në Gllavë të Bashkisë Memaliaj 100 vjetori themelimit të Teqesë  Bektashiane të Baba Ismailit

Gjirokastra 19 Qershor 2023

Qindra besimtarë Bektashianë të krahinës së Gllavës dhe njësisë administrative Buz të Bashkisë Memaliaj, festuan dje 100 vjetorin e ndërtimit në 18 Qershor të vitit 1923 të Tyrbes së Baba Muratit që shënon njëkohësisht edhe themelimin e Teqesë  Bektashiane të Baba Ismailit. Banorë të fshatrave Gllavë, Kalemaj, Badër, Kurtjez, Golemaj, Arrëz e Vogël, Shalës, Xhafaj, Selckë, Selckë e Vogël, Komar, Bardhaj të njësisë administrative Buz, por edhe shumë të tjerë të ardhur nga Tërpanit i Beratit, Krahsi, Tirana, qytetetë tjera të vendit, emigrantë të ardhur nga Greqia dhe Italia, u grumbulluan për të festuar përpara Tyrbeve Bektashiane. Në këtë Teqe kanë shërbyer me devotshmëri dhe përkushtim disa klerikë atdhetar të njohur si Baba Shefqeti, Baba Muharremi, Baba Ademi, Dervish Feimi, ky i fundit Dëshmor i Atdheut. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kjo Teqe që drejtohej nga Baba Qamili, u kthye në një bazë mbështetëse për njësitë partizane. Në korrik të vitit 1943 gjatë një operacioni të ushtrisë fashiste italiane një nga klerikët bektashi Baba Qamili i kësaj Teqeje u arrestua dhe u mbajt deri në shtator të atij viti në Burgun e Kalasë së Gjirokastrës. Gjatë viteve të luftës klerikët e Gllavës bashkëpunuan edhe me Teqenë e Zallit dhe Dervish Rexhepin. Pas çlirimit të vendit këtu shërbyen Baba Abedin Gllava, Gjysh Muharrem Dino, Baba Qamil Kapllaniu nga Vërzhezha e Skraparit. Pas ndalimit të fesë nga regjimi komumist Teqeja u rihap në vitin 1990 nga vetë besimtarët Bektashinj të Gllavës, të cilën ringritën së pari dy tyrbet e rënuara. Në ceremoninë e 100 vjetorit krahas klerikëve baektashianë mori pjesë dhe përshëndeti edhe kryetari i ri i bashkisë Memaliaj zoti Albertr Malaj. Besimtarët e pranishëm shprehën gadishmërinë për të ringritur pjesën e rënuar të Teqesë së Glavës. Më pas festa vazhdoi e bukur me një drekë në mjediset e Bujtinës Vila Sofia, investim i biznesmenit me orgjinë nga Gllava zotit  Hetem Bajrami.