Shkolla 9-vjeçare “Irfan Hajrullai” është një ndër 4 institucionet publike në bashkinë e Dibrës të përfshira në ndihmën që qeveria japoneze dhe PNUD po japin për nxitjen dhe përdorimin e energjisë diellore në Shqipëri.
Me vendosjen e paneleve fotovoltaike, ky institucion do të eliminojë kostot për energjinë, pa përfshirë kostot për ngrohjen e 340 nxënësve gjatë periudhave të ftohta.
“Edhe për ngrohje dhe për ndriçim, Bashkia dhe shkolla do të kishin përfitim të madh sepse shmanget shfrytëzimi i peletit që ka mbetje dhe energjia elektrike që sipas inxhinierit që mbulon këtë shkollë thotë që shkon deri në 8 milion lekë të vjetra në vit,” thotë drejtori i shkollës.
Edhe vetë godina e Bashkisë ka vendosur panele fotovoltaike.
Abdi Hoxha, përgjegjës sektori, na tregon se kjo ndihmë parashikohet t’i kursejë bashkisë afro 67 mijë euro në një vit.
“E gjithë kjo energji elektrike që përdoret për ngrohje do të bëjë të mundur të kursehen lëndë drusore, duke ndihmuar dhe ambientin,” u shpreh ai.
Projekti synon të ndihmojë Shqipërinë në zbatimin e objektivit të ri kombëtar në përgjigje të Marrëveshjes së Parisit për Ndryshimet Klimatike.
“Është një energji e pastër, një energji që nuk ndot mjedisin dhe është energji e përballueshme. Do të emitohen rreth 15 mijë tonë më pak gaz me efekt serrë në atmosferë.“
Ndërkohë në Bashkinë e Klosit janë dy institucione të përzgjedhura për instalimin e këtyre paneleve, një kopsht dhe godina e bashkisë, ku kjo e fundit parashikon të kursejë afro 27 mijë euro në vit nga shmangia e pagesave të faturave të energjisë elektrike.