• Gjirokastër

Edicioni i nëntë i festivalit “Divani Lunxhot” / Folklor, kulinari, artizanat

Gjirokastra 09 Gusht 2023

Artistë popullorë nga zona të ndryshme të vendit, por edhe jashtë kufijve do të bëhen bashkë në datat 11 dhe 12 gusht në edicionin e nëntë të festivalit folklorik “Divani Lunxhot”. Janë 13 grupe që do të performojnë në skenën e ketij festivali të kthyer tashmë në traditë që synon mbajtjen gjallë të traditës dhe kulturës vendase. Organizatori Koço Vasili zbulon se këtë vit të dyja netët e festivalit do të mbahen në fshatin Dhoksat dhe se ky event do të shoqërohet edhe nga aktivitete të tjera siç janë edhe panairi i kulinarisë apo ai i artizanatit.

“Përveç grupeve nga qarku i Gjirokastrës në këtë edicion do të marrin pjesë artistë nga Tirana, Vlora,Berati,por edhe ata nga Maqedonia e veriut dhe Igumenica e Greqisë. Në të dyja netët do të kemi të ftuar edhe këngëtarë si të këngës popullore dhe asaj të lehtë siç janë Angjelina Rustemi dhe Nikol Çabeli. Nuk do të mungojnë as vlerësimet dhe çertifikatat për artsistët”, – thotë Vasili.

“Divani Lunxhot” vjen me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, bashkisë e keshillit të qarkut Gjirokaster, por edhe me ndihmesën e vetë lunxhotëve që e duan folklorin.