Për vitin e ri akademik 2023-2024 në universitetin e Gjirokastrës nuk do të funksionojnë dy programe studimi. Histori e Gjuhë Italiane dhe Fizikë – Informatikë janë shpallur joaktive, pasi nuk kanë plotësuar numrin minimal të studentëve.
“Në regjistrimet e këtij viti akademik patëm dy degët të cilat nuk u shpallën aktive për shkak të mungesës së aplikantëve. Bëhet fjalë për programin e studimit fizikë- informatikë dhe histori e gjuhë italiane. Për këtë vit shpallën joaktive, jo të mbyllura”, – thotë zëvendësrektori Jaho Cana.
Të kënaqshme vlerësohen prurjet në dy degët e hapura rishtas Menaxhim Dixhital dhe Menaxhim i Turizmit të Qëndrueshëm që ofrojnë diploma të përbashkëta me universitetet italiane.
“Edhe pse janë programe që janë hapur për herë të parë këtë vit akademik dhe hyrën me vonesë në sistem kanë plotësuar numrin për të funksionuar. Janë programe që ofrojnë diploma të dyfishta me universitetet e Molises dhe atë të Salentos. Në këtë mënyrë studentët tanë do të kenë mundësi të hyjnë edhe në tregun europian”, shprehet Cana.
Në përfundim të tre raundeve në universitetin “Eqrem Çabej” janë regjistruar 460 studentë, rreth 70 më tepër se një vit më parë. Më të kërkuara nga të rinjtë mbetën degët e ekonomikut, infermierisë dhe programet profesionale dy vjeçare.