• Lajme nga bota

Dyshime spiunazhi për Rusinë/ Britania arreston tre shtetas bullgarë

Gjirokastra 15 Gusht 2023

Britania e Madhe ka arrestuar tre shtetas bullgarë të dyshuar për spiunazh në emër të Rusisë.

Tre shtetasit u vunë në paraburgim prej muajit shkurt, pasi shërbimi kundër terrorizmit ngriti dyshime se po punonin për shërbimin informativ të Rusisë.

Akuza që rëndon ndaj tyre është zotërimi i dokumenteve false të identitetit, si pasaporta apo karta identiteti të kombësive britanike, bullgare, franceze, italiane, spanjolle, kroate, sllovene, greke dhe çeke.

Policia Metropolitane, e cila ka përgjegjësinë për të hetuar çështjet e spiunazhit në nivel kombëtar, publikoi edhe emrat e të dyshuarve: Orlin Roussev (45 vjeç), Bizer Dzhambazov (41 vjeç) dhe Katrin Ivanova (31 vjeçe).

Ata pritet të dalin para gjykatës në muajin janar.

Tre personat kryenin prej vitesh punë të ndryshme në Britani, nga biznesmenë në rastin e Roussev deri te shofer ambulance për rastin e Dzhambarov apo Ivanova, asistente laboratori në një qendër shëndetësore.

Në bazë të dokumenteve shtetërore bullgare, tre të dyshuarit punonin edhe në komisionet zgjedhore në Londër, të cilat shërbejnë për bullgarët që jetojnë jashtë Bullgarisë, që të votojnë në rast zgjedhjesh. 

Shërbimet britanike kanë rritur vigjilencën vitet e fundit, pasi në vend ka pasur disa operacione të shërbimeve inteligjente ruse.

Rasti i njohur i vitit 2018 përfshiu operativët rusë në tentativën për vrasjen e agjentit të dyfishtë Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia, nëpërmjet një gazi neurotoksik..

Në vitin 2006, edhe oficeri i shërbimit rus, Alexander Litvinenko, u helmua për vdekje në Londër nga vrasës të punësuar nga shteti rus. /BBC