Aktualisht në Bashkinë e Dropullit nuk ka asnjë Muze funksional të liçensuar apo të akredituar nga Agjencia Kombëtare e Muzeumeve.Madje, edhe muzeu i vetëm që vizitohet herë pas here nga nxënësit e shkollave të zonës nuk e ka ende aprovimin e Këshillit Bashkiak, në mënyrë që të çertifikohet si muze lokal. Bëhet fjalë për Muzeun e Arsimit në fshatin Bodrishtë të Dropullit të Sipërm, i cili është krijuar para disa vitesh me iniciativën e Shoqatës së Arsimtarëve në Pension Minoritarë Grekë për Qarkun e Gjirokastrës.Po, si e trajton këtë fakt Kryetari aktual i kësaj Shoqate , zoti Vasil Llahana, si e lidh me ekzistencën e dhjetëra muzeumeve në zonën e Dropullit dhe të Pogonit para viteve ’90 dhe pse nuk shfrytëzohen arkivat e arsimtarëve në pension nëpër fshatra ?Sipas zotit Llahana, ne shumë fshatra të Dropullit ka pasur muze para viteve ’90, të cilat nuk ekzistojnë në ditët e sotme. Prandaj, drejtuesit e pushtetit vendor duhet të kontaktojnë me arsimtarët pensionistë, të cilët disponojnë arkivin e tyre me materiale shumë interesante. Nga ana tjetër, vazhdon zoti Llahana, Bashkia duhet të përcaktojë llojin e objekteve muzeale në çdo zonë apo edhe fshat.Megjithatë, pushteti vendor në Bashkinë e Dropullit ka deklaruar gjatë këtij viti se po punon për ndërtimin e disa muzeumeve në fshatrat Goranxi, Sotirë, Grapsh, Skore e të tjera, por nuk është bërë e ditur nëse do të ndiqet rruga ligjore për çertifikimin e tyre.
- Dropull
Dropull, të shfrytëzohen arkivat e arsimtarëve pensionistë për muzeumet
