• Lajme kombëtare

Drejtoria e Burgjeve: Përdorimi i lëndëve narkotike dhe arresti kardiak, çuan në humbjen e jetës së shtetasit, Renald Tahiri

Gjirokastra 07 Prill 2023

Përdorimi i lëndëve narkotike dhe arresti kardiak, vlerësohet se kanë qenë shkaktarët kryesor që çuan në humbjen e jetës së shtetasit, Renald Tahiri, në ambientet e burgut 302 në rrugën Mine Peza në Tiranë.

Drejtoria e Burgjeve ka reaguar lidhur me këtë ngjarje, duke dhënë edhe detaje për ndarjen nga jeta të 38-vjecarit. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, ky institucion sqaron se 38-vjeçari kishte përfunduar pas hekurave për veprën penale të ‘Vjedhjes’.

Pasi është konstatuar gjendja e tij e rënduar shëndetësore, i paraburgosuri, thuhet në njoftim, ka dëshmuar se është përdorues i lëndëve narkotike dhe trajtohet me methadon dhe se vuan nga hepatiti B, C.

“Rreth orës 14:10, u shoqërua për në QSUT, ku mjeku i ka sugjeruar të vijojë terapinë me Methadon (ilac kundër varësisë ndaj drogërave). Ai bëri edhe vizitën me mjekun psikiatër dhe pasi bëri të gjitha analizat, iu rekomandua të vijojë trajtimin me mediakmente për 3 ditë. Duke qenë se gjendja shëndetësore ishte e njëjtë, më 1 prill rreth orës 22:10 e kanë dërguar menjëherë në ambientet e QSUT. Gjatë rrugës ka vijuar kryerja e masazhit kardiak. Sipas Drejtorisë së Burgjeve, në QSUT pacientit i është dhënë ndihma mjekësore, i janë kryer ekzaminimet mjekësore dhe më pas mjeku i urgjencës ka konkluduar se pacienti ka pësuar arrest kardiak.”- thuhet në njoftim.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve, lidhur me reagimet se nuk është njoftuar familja, sqarohet se kanë marrë disa herë një numër kontakti të të paraburgosurit, por ka rezultuar i padisponueshëm.

“Gjithashtu Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm nën drejtimin e Prokurorisë është duke bërë hetimin lidhur me ngjarjen.”- përfundon njoftimi.