Agjenda digjitale në Shqipëri u raportua ditët e fundit në Komisionin Europian në Bruksel nga drejtoresha e AKSHI-t, Linda Karçanaj.
Ajo ishte pjesë e raportit të Shqipërisë për Kapitullin 10: Shoqëria e informacionit dhe media.
Zonja Karçnaj paraqiti transformimin e shërbimeve publike në Shqipëri, që sipas saj ka ndryshuar një herë e përgjithmonë mendësinë e qytetarëve, marrëdhënien e administratës me qytetarët dhe bizneset.
“Shqipëria është sot një histori suksesi në rajon. Vlerësohet si vend udhëheqës, në Ballkanin Perëndimor, në aspektin e digjitalizimit të shërbimeve publike” tha zonja Karçanaj.
Ajo përmendi se aplikimet për shërbime elektronike dhe dokumentet me vulë elektronike janë dyfishuar në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021. “Arsyeja e kësaj rritjeje është e thjeshtë: lehtësia dhe besimi që e-Albania ofron. Vetëm duke hequr tarifat që qytetarët paguanin deri para disa viteve, janë kursyer rreth 9 milionë euro. Eliminimi i radhëve ka kursyer 1000 vjet pritje. Të dhënat tregojnë se vetë e-Albania ka shembur paragjykimet” tha zonja Karçanaj.
Drejtoresha e AKSHI-t vuri theksin tek progresi i arritur në këto 8 muaj, pas sulmeve kibernetike ndaj Shqipërisë. Ajo përmendi krijimin e SOC (Security Operations Center) qeveritar, rritja e kapaciteteve teknike si dhe tek rikonceptimi i strukturave mbrojtëse me teknologjinë më të fundit, që integron inteligjencen artificiale me machine-learning.
Në takim u sollën në vëmendje vlerësimet që organizatat më prestigjioze në botë, OKB-ja, OECD, Departamenti i Shtetit të SHBA dhe Komisioni Evropian, i kanë dhënë Shqipërisë me pikë të larta, në analizat dhe raportet e tyre, për qeverisjen digjitale në vend, për progreset me miratimin e Agjendës Digjitale dhe Planit të Veprimit 2022-2026 dhe në shërbimet e qeverisjes elektronike, për rritjen e digjitizimit të shërbimeve që po ndihmojë në uljen e korrupsionit etj.