Duke komentuar takimin e mbajtur, një ditë më parë, mes presidentit të entitetit të Republikës Sërpska të Bosnjë e Hercegovinës, Millorad Dodik, dhe presidentit rus Vladimir Putin, Departamenti Amerikan i Shtetit u shpreh se “asnjë qeveri, në asnjë nivel, në këtë moment nuk duhet të zgjerojë bashkëpunimin me Rusinë, ndërsa që ai vend po kryen agresion kundër Ukrainës”.
Vendimi i Dodikut për t’u takuar me Putinin, “në kohën kur Rusia shkel haptazi themelet dhe ligjet e rendit ndërkombëtar, si dhe vendimi i mëparshëm i Dodikut për të dekoruar Putinin, janë lëvizje miope që nuk u shërbejnë interesave të qytetarëve të Republikës Sërpska”, u shpreh për Zërin e Amerikës zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit.
“Rruga që të çon drejt një të ardhmeje demokratike, të begatë dhe të sigurt, të cilën e dëshirojnë të gjithë qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës, kalon përmes Brukselit, jo përmes Moskës. Prandaj, ne e konsiderojmë rrugën e Dodikut kundërproduktive dhe mbi të gjitha të dëmshme”, vijoi më tej ai.
Të martën, Dodik i cili vizitoi Moskën ku u takua me Putin u shpreh se republika Sërpska vijonte të ishte pro-ruse, anti-perëndimore dhe antiamerikane.
Gjatë takimit me Putin, ai u shpreh se entiteti serb i Bosnjës dhe Herzegovinës, iu është është ekspozuar presioneve të shumta të Perëndimit për shkak të mbështetjes për Rusinë, por ka vendosur të mos jetë pjesë e histerisë ndaj federatës, siç u shpreh ai.
Nga Dodik nuk ka munguar as një sulm verbal ndaj ambasadorit amerikan në Bosnjë Majkëll Murphy, të cilin e quajti anti-serb. Ky i fundit e ka akuzuar Dodik se me retorikën e tij nacionaliste po dëmton stabilitetin e vendit.