Një aktivitet sensibilizues e ndërgjegjësues për parandalimin e kancerit të gjirit u zhvillua mbrëmjen e djeshme në fshatin Vanistër të bashkisë minoritare. Ishte një organizim i shoqatës “Estia – Dropull” që erdhi pikërisht në ditën botërore kundër kësaj sëmundje e cila renditet e dyta në radhë që merr çdo ditë jetë grash.
Mjekja gjinekologe Julinda Miho informoi gratë pjesëmarrëse mbi sëmundjen, teknikën e vetëekzaminimit, por edhe rëndësinë që ka kontrolli i gjirit përmes ekos dhe mamografisë për diagnostikimin e hershëm.
Nuk munguan gjatë këtij aktiviteti as historitë e grave që janë përballur me këtë sëmundje, ndërsa nga shoqata Estia Dropull dhuroi një shumë monetare për një prej grave që ende është në betejën kundër kancerit të gjirit.