Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi deri në 2026-ën, me qeverinë zviceriane në kuadër të rritjes së transparencës dhe efektivitetit të KQZ përmes mjeteve digjitale. Marrëveshja e nënshkruar nga Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi me Ambasadoren e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, vjen pak para zgjedhjeve vendore të 14 majit.
Kjo marrëveshje, sipas KQZ, “nis një projekt shumë ambicioz që do të zhvillojë më tej transparencën dhe efektivitetin e KQZ-së përmes mjeteve dixhitale”.
Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi deklaroi se disa prej projekteve në fushën e digjitalizimit do të realizohen para zgjedhjeve të 14 Majit. Një prej këtyre projekteve, është ribërja e aplikacionit të KQZ, që sipas Celibashit, do jetë gati para vendoreve me qëllim lehtësimin e marrjes së informacionit nga votuesit.
“Në tërësi, kjo mbështetje financiare direkte jepet për projekte të ndryshme në fushën e digjitalizimit, disa prej tyre synojmë ti realizojmë deri në 14 maj, janë projekte që lidhen me rritje n e transparencës dhe aksesin e publikut në informacione të ndryshme zgjedhore. Për shembull: ribërja e aplikacionit të KQZ, synoj ta kemi gati para 14 majit me qëllim që të lehtësojmë votuesit me marrjen e informacionit nga KQZ.
Me fokus tjetër për krijimin e lehtësive me palët që komunikojnë me KQZ, palë politike, vëzhgues, janë finalizuar kërkesat për ndërtimin e moduleve të tilla dhe me këtë financim sot, shpresojmë ti realizojmë”, tha ai.
Ndërsa ambasadorja në fjalën e saj, u shpreh se instrumentet që garantohen përmes marrëveshjessë nënshkruan me KQZ, duhet të sigurojnë që të dhënat e qytetarëve janë të sakta dhe të papërdorshme nga të tretë. Ajo theksoi se “përmes kësaj marrëveshje duam të kontribuojmë në forcimin e demokracisë në Shqipëri dhe në rritjen e kapaciteteve institucionale. Ajo që duhet të theksojmë është që ti sjellim në vëmendje KQZ sfidat për mbrojtjen e të dhënave personale dhe rreziqet që sjell siguria kibernetike”.
Marrëveshja e sotme mes qeverisë zviceriane dhe KQZ, përfshin dedikimin e 1.2 mln eurove për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mbështetje e cila parashikon rritjen e përgjegjësisë së KQZ për rritjen e digjitalizimit të procesit të punës.