• Lajme kombëtare

Digjet shtëpia/ Familja Hoxha në qiell të hapur

Ledja Fili 18 Shkurt 2023

Banesa që u shkrumbua këtë të shtunë në fshatin Toç të Bashkisë Memaliaj ka lënë në qiell të hapur familjen me 3 anëtarë që jetonte në të.
Çifti i të moshuarve Refije dhe Hyso Hoxha me të birin Kreshnikun,me aftësi të kufizuar prej më pak se një javë qëndrojnë jashtë në oborrin e shtëpisë së tyre të djegur. Banesa e tyre 1 katëshe u përfshi nga flakët e shkaktuara si pasojë e bomblës së gazit që ishte harruar e ndezur në njërën prej tre dhomave.
Djegia e banesës e ka thelluar edhe më tej dramën e familjes Hoxha.
Në zjarr thotë nënë Refija me plot dhimbje e lot u dogjën edhe kujtimet, paratë, orenditë e veshjet, ajo rrezikoi jetën e vet për të shpëtuar bashkëshortin dhe të birin e saj të sëmurë nga flakët. Nënë Refija thotë për RTSH Gjirokastra se nuk ka asnjë mundësi jetese duke shtuar se as pensionet që marrin dhe kempi i të birit nuk janë të mjaftueshme për të përballuar jetesën duke shtuar ndërkaq dhe apelin ndaj organeve përkatëse e bizneseve që operojnë në zonë për ndihmë.
Burime pranë bashkisë Memaliaj bëjnë të ditur se dëmet si pasojë e flakëve që përfshinë banesën ishin të konsiderueshme dhe pritet në mbledhjen e radhës të këshillit bashkiak të çelet një fond ndihmesë nga sektori i emergjencave civile në mbështetje të familjes Hoxha.